Edhe gjatë tetorit kreditimi i ekonomisë vijoi regjistrimin e shifrave në rritje.
Kredia e re e disbursuar nga bankat tregtare kishte vlerën e 22.6 miliardë lekëve duke u rritur me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Zhvillimet më pozitive erdhën nga segmenti i kreditimit të bizneseve.
Kredia për bizneset shënoi një rritje të lartë me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu ecuri pozitive vijoi edhe segmenti i individëve ndonëse me ritme më të ngadalëta në krahasim me pjesën e parë të vitit.
Gjatë tetorit, kredia e re për individët u rrit me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë këtyre dhjetë muajve bankat kanë disbursuar rreth 197 miliardë lekë kredi, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në këtë rritje progresive vjetore të kredisë, i gjithë kontributi ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vlerë, këtë vit individët kanë marrë 17 miliardë lekë kredi më shumë. Rritja ka ardhur sidomos nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku huadhënia këtë vit ka arritur nivelet më të larta historike.
Nga ana tjetër, në segmentin e biznesit, kredia ende është në nivelin 5.4% më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Në fund të muajit tetor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 652 miliardë lekë, me një rritje prej 15 miliardë lekësh krahasuar me shtatorin.
Kjo është rritja më e lartë mujore e stokut të kredisë e regjistruar këtë vit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 10%, nga 7% që kishte qenë rritja me bazë vjetore e portofolit në fund të muajit shtator.
Edhe në tepricën e kredisë rritja më e lartë regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë është zgjeruar me 11%, ndërsa për bizneset rritja është lehtësisht më e ulët, me 10.5% më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



