Kosova

Osmani: Diskursi nxitës i Serbisë burim destabilizimi në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Kanada me një delegacion të senatit amerikan në përbërje të të cilit ishin senatorët Jeanne Shaheen, Joni Ernst, Chris Coons dhe James Risch.

Osmani ka falënderuar senatorët amerikanë për mbështetjen që ka dhënë dhe po i jep SHBA-ja dhe tha se marrëdhëniet me këtë shtet mik janë ekzistenciale dhe strategjike. Ajo vlerësoi se Kosova është shembull i suksesshëm i mbështetjes amerikane.

Më tej, Presidentja i ka njoftuar senatorët amerikanë në lidhje me përpjekjen e Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë posaçërisht forcimin e sundimit të rendit e ligjit si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja.

Në këtë takim, Osmani ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon. Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të SHBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Senatorët falenderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të parë paqësor jashtë vendit të ushtarëve të FSK-së përkrahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt, duke rikonfirmuar kështu partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Amerikës dhe kontributin për paqe e siguri në botë”, thuhet në një komunikatë nga Presidenca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë