Nga Megi Iskurti – Pushimet dimërore janë në rrugë e sipër për t’u kthyer në traditë për shqiptarët dhe bujtinat e shtëpitë pritëse duket se kanë ngrohur ambientet e tyre dhe po presin vizitorët e parë që tashmë i kanë kryer rezervimet që para nisjes së sezonit dimëror.
Dardha, Voskopoja, Razma e Thethi janë kthyer në destinacione që joshin gjatë gjithë vitit dhe mesa duket do jenë ende të përzgjedhurit e qytetarëve për fundjavat e dimrit.
“Përpos destinacioneve shqiptare, shumë të kërkuara mbeten sigurisht edhe vendet e rajonit, Mali i Zi, Maqedonia apo Kosova që e kanë më të konsoliduar turizmin e bardhë.
Megjithatë, çështja e tamponit dhe vaksinimit që kërkohet në kufi i ka rritur çmimet për udhëtarët dhe kërkesat rrjedhimisht janë fokusuar më shumë brenda Shqipërisë.”-tregojnë për Gazetasi.al përfaqësues të Zenith Travel që shtojnë se rritje kërkesash këtë vit ka patur sidomos për Thethin, ndërsa Dardha apo Voskopoja vijojnë të mbeten si gjithmonë më të kërkuarat.
Nëse jeni në mëdyshje për destinacionin që do të zgjidhni, Shqipërinë apo vendet fqinje atëherë kjo nuk është thjesht çështje buxheti pasi paketat turistike së fundmi duket se janë kthyer në një garë për t’u bërë sa më joshëse, me çmime sa më të lira në një periudhë krize të ashpër ekonomike.
Kur i pyet ekspertët dhe operatorët turistikë për tendencat që do të ketë turizmi dimëror këtë vit, ata thonë se prirja duket pozitive dhe bukuritë shqiptare po vlerësohen gjithnjë e më tepër.
Ndryshe nga shumë atraksione të tjera turistike dimërore që nuk kanë një shumëllojshmëri aktivitetesh për të ofruar, Thethi të ofron ngjitjet malore,kajaket në përroin e tij,peshkimin sportiv malor apo sportet në shpatet natyrore me borë.
Operatorët turistikë tregojnë se mbi të gjitha,klientët mbetën të mrekulluar nga kuzhina dhe nga pamjet e papërsëritshme natyrore.
I ndodhur në Alpet Shqiptare, midis një kurore majash të thepisura pranë Bjeshkëve të Namuna, Thethi është ideal për turizmin e bardhë, i favorizuar jo vetëm nga natyra që për këtë zonë duket se ka rezervuar bukuritë më të mëdha por edhe nga mitet e asaj ane që bashkë me të zotin e shtëpisë ulen këmbëkryq në mbrëmjet e bujtinës.
“Bota e madhe po zgjedh përvit të vijë këtu, ejani dhe ju”, është kjo fjalia tipike që thonë banorët vendas drejtuar turistëve shqiptarë pas shumë të huajsh që po zgjedhin gjithnjë e më shumë të vizitojnë Thethin.

Rezervimet për Dardhën gjithashtu duket se kanë nisur që tani për festat e nëntorit duke e rizgjedhur sërish atë si destinacionin kryesor,që të ndërmendet sa herë që bie fjala për turizmin e bardhë.
Në një ditë normale Dardha nuk ka më shumë se 40 banorë, por në ditë festash dhe pushimesh sezonale fshati mbushet nga vizitorët që e vizitojnë sidomos për skitë, ndonëse pista ka mbetur ende në faza amatore dhe nuk është investuar mjaftueshëm.
“Gjithçka varet nga temperaturat, nga kushtet atmosferike”, thotë për Gazetasi.al Thoma Tasho, i zoti i kësaj piste i cili tregon se tashmë ka edhe ai një pajisjen të re që bën të mundur krijimin e dëborës artificiale, e që mund të vihet në përdorim nëse do të favorizohet nga moti.
“Krijimi i dëborës artificiale kërkon që të paktën temperaturat të jenë afër zeros. Të gjitha investimet ne i kemi bërë vetë, ndonëse janë të vogla. Dikur kemi patur 50 palë ski ndërsa tani kemi rreth 200.
Rëndësi i kemi dhënë edhe kujdesjes për pyllin në afërsi të pistës së skive, duke e mirëmbajtur dhe duke mbjellur pemë.”-thotë ai teksa shton se shteti nuk ka qenë aty për t’i ndihmuar në asnjë rast.
Një ditë ushtrimi me ski në Dardhë kushton rreth 13 mijë lekë të vjetra shqiptare duke përfshirë edhe veshjet e duhura, pajisjet apo asistencën nga trajnerët, çmim relativisht shumë më i ulët se në vendet e tjera të rajonit.
“Në Shqipëri po u jepet prioritet vetëm disa zonave dhe po lihen pas dore shumë të tjera, ky është një disavantazh që nuk e lejon turizmin e bardhë që të ngrejë krye.”-thotë për Gazetasi.al Neritan Ibi, drejtues i agjensisë turistike “My albania nature.”
Një tjetër atraksion që po ofron mundësi për turizëm dimëror është edhe Puka, por, drejtuesit e hotelit me të njëjtin emër thonë se nuk ka frekuentim dhe turistët kryesisht e vizitojnë për ngjitje në malin e Tërbunit.
Operatorët tregojnë se së fundmi janë rritur kërkesat e qytetarëve edhe për zonën e Razmës e cila po shton dhe investimet duke mos lënë vetëm disa shtëpi pritëse endemike si do kohë më parë.
Në ndryshim prej zonave të tjera alpine të Shqipërisë,Razma shtrihet mbi një pllajë karstike duke paraqitur kontraste befasuese në reliev.
Neritan Ibi shton se çështja e tamponit për paketat turistike në vendin e rajonit po kthehet në një pengësë për ta duke ulur ndjeshëm numrin e rezervimeve.
“Po diskutojmë për të ulur çmimet e tamponëve, ashtu siç e pritëm ne Kosovën në vitin 2020 gjatë verës, tani duhet të bëjmë një kthim restoje dhe Kosova të na presë ne.”
Panorama e bukurive shqiptare nuk përputhet me investimet private që përpiqen të ofrojnë standard në kushtet kur shërbimet utilitare mungojnë apo kur infrastruktura rrugore nuk lehtëson mbarëvajtjen e udhëtimit, prandaj ai mendon se duhet bërë më shumë që turistët të jenë të prirur të zgjedhin vetëm destinacionet shqiptare.
Drejtuesit e agjensive kryesore në vend tregojnë se Mali i Zi synon të përthith sa më shumë turistë të huaj duke luajtur me “kartën” e çmimit por edhe Maqedonia nuk mbetet pas në këtë strategji.
Ata shprehen se shqiptarët kanë si destinacione të preferuara Mavrovën apo Kodrën e Diellit në Malësinë e Sharrit ndërsa zonat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dimëror në Kosovë dhe njëkohësisht më të preferuarat nga shqiptarët janë qendrat e skive në Brezovicë e Rugovë, si edhe Maja e Lubotenit, që njihet si maja më e lartë në Kosovë.
Megjithatë, fshatrat e Shqipërisë po kthehen në “mbërritjen” e gjithnjë e më shumë shqiptarëve që po zgjedhin të “pushojnë shqip” për periudhën e fundvitit.
Festat dhe fundjavat e dimrit janë përpara dhe shumë shpejt oxhaqet do të ndizen e prej shtëpive të veshura nga bora do dalin në sinkron retë e hirta të cilat e bëjnë akoma më përrallore peizazhin piktoresk të fshatrave shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









