Nga Megi Iskurti – Ndonëse turizmi dimëror në Shqipëri nuk është më aq sporadik si dikur, ai nuk mundet të shfaqet ende me të gjithë mundësitë që ka.
Agjensitë shqiptare që merren me promovimin e turizmit dimëror në vend, thonë se ndonëse gjatë fundjavave të dimrit këto destinacione i gjen të populluara, asnjëherë nuk është bërë mjaftueshëm për të zhvilluar këtë lloj turizmi i cili që në krye të herës ka vuajtur nga ngërçi i investimeve.
“Paketat në Shqipëri janë aq të lira sa për të mbajtur gjallë tregun, por turizmi i bardhë nuk është ende aty ku duhet të jetë.
Ka një sërë problemesh që e shoqërojnë duke filluar nga vetë ajo çka paketat ofrojnë.
Shumica e klientëve ankohen se paketat jo pak herë janë të mërzitshme pasi nuk ofrojnë asgjë tjetër veç akomodimit.
Të rralla janë paketat që ofrojnë aktivitete përpos fjetjes dhe ushqimit sepse dhe strukturat akomoduese nuk kanë kapacitetet e duhura për të ofruar më shumë.”-thotë për Gazetasi.al Neritan Ibi, drejtues i “My Albania nature” dhe udhërrëfyes turistik.
Ai tregon se interesi i klientëve vjen në rritje sa herë që paketat përmbajnë disa aktivitete më shumë por në fakt këto struktura ende vuajnë nga sëmundja e hershme dhe e mbartur e turizmit shqiptar që është mungesa e argëtimit brenda dhe përreth qendrës.
“Mungojnë lehtësitë e nevojshme si pishinat e mbyllura, ato të turizmit të shëndetit,ambientet sportive, ato të kalimit të kohës së lirë si skitë, fusha tenisi, mini golfe, bilardo etj.
Të gjitha këto do ta plotësonin këtë produkt, do ta bënin më konkurrues me alternativat e tjera turistike në vend, por edhe me produktet e ngjashme në rajon.
Ne duam të bëjmë turizëm të bardhë pa patur pistë skish përveç asaj që është në Dardhë dhe një tjetre që është hapur sëfundmi në Pukë,”-shton më tej ai.
Sipas tij duhet t’i hapet drita jeshile investimeve të mëdha, pasi pa to, ky sektor do të mbetet fillestar dhe në nivel lokal.
Mungesa e këtij produkti lidhet edhe me faktin se investimet në këtë fushë kanë një kosto të lartë, janë teknikisht të vështira dhe kërkojnë kompani të specializuara që kanë shumë përvojë por së pari mungon ndërgjegjësimi i duhur për turizmin në tërësi dhe sidomos atë dimëror që konsiderohet më elitar.
Një problematikë tjetër themelore është shërbimi i urgjencës dhe mungesa e infrastrukturës.
Klientët përveç hoteleve me kushte të mira dhe ushqimit tradicional hasen thuajse gjithmonë me infrastrukturë të dobët e shpesh edhe me mungesë të energjisë elektrike.
“Ne kemi potencial po akoma nuk kemi energji elektrike. Nëse të ndodh të shkosh në Valbonë, jo pak herë mund të përballesh me ikjen e dritave.
Banorët dhe pronarët e bujtinave duhet të kujdesen për këto elementë para se të fillojë sezoni. Duhet të reparojnë defektet,të jenë të parapërgatitur.
Ata përpiqen ta mbajnë gjallë turizmin me çdo kusht por shpesh dhe ata, si të tjerë, penalizohen nga infrastruktura e dobët,”-vijon më tej Ibi për Gazetasi.al teksa shton se Shqipëria është ende mbrapa krahasuar me vendet e rajonit që kanë nisur luftën për ofertat “low cost”(çmime të ulëta) e që po ofrojnë gjithmonë e më shumë paketa joshëse.
Secili nga vendet fqinje me Shqipërinë, përfshi edhe Kosovën ka mbi dy qendra skish të pajisur me infrastrukturë të plotë, si në hoteleri ashtu dhe në impiante.
Për të mos folur më pas për një traditë turizmi dimëror të vërtetë, mbi 30-vjeçare, e konsoliduar tashmë.
Resortet dimërore në Kosovë, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari dhe Mal të Zi kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, aksesin në rrugë, kapacitetin e pistave të skive, madje nuk ka munguar edhe përdorimi i dëborës artificiale për të joshur turistët e huaj.
Sipas raportit botëror për turizmin dimëror dhe malor, Shqipëria nuk njihet si destinacion skish edhe pse ka 70% të territorit malor dhe i vetmi teleferik është instaluar vetëm në vitin 2012.
Neritani pohon që edhe numri i personave që bëjnë ski për sport apo për pasion në Shqipëri është i vogël prandaj ai e sheh si të domosdoshëm ofrimin e aktiviteteve të tjera më dinamike për klientët në mënyrë që ata të mos rrinë vetëm mbyllur në dhomë e të mërziten.
Sipas operatorëve të tregut, klientët që e duan më shumë turizmin e bardhë janë kryesisht nga Tirana, Durrësi apo Elbasani ndërsa dhe të huaj nga shtetet e tjera, kryesisht vitet e fundit nga Gjermania, Polonia dhe Çekia, të cilët tërhiqen më shumë nga kërshëria dhe kanë më shumë interes për pamjet dhe natyrën shqiptare.
Akomodimi, ushqimi dhe transporti kanë kosto të ulët për turistët por krahas këtyre avantazheve, Shqipëria nuk mund të konkurrojë dot e vetme përballë shteteve fqinje që gëzojnë jo vetëm përvojën e gjatë, por edhe infrastrukturë moderne dhe cilësore.
Sipas tourismreviw.com, në Europë një natë qëndrimi në një resort dimëror skish kushton rreth 55euro ndërsa mesatarja sipas agjensive turistike shqiptare është diku tek 30 euro për dy netë, sëbashku me mëngjesin e përfshirë.
Shqipëria ende nuk e ka të kristalizuar turizmin e bardhë dhe në këto kushte rajonin mund ta konkurrojmë vetëm me bukuritë e natyrës dhe deri diku me çmimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







