Art dhe Kulture

Ngrihet fondacioni që do menaxhojë Butrintin, Margariti: Pronësinë e ka shteti

Themelohet fondacioni që do të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit.

Ky model menaxhimi me një fondacion që drejtohet nga një bord me 5 anëtarë, vjen për herë të parë në një pasuri të trashëgimisë kulturore, me bashkëpunim mes shtetit dhe aktorëve privatë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se përpos debateve dhe keqinformimeve lidhur me çështjen e menaxhimit të Parkut Kombëtar, pronësinë e Butrintit do të vijojë ta ketë shteti.

“Ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformim, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit”.

Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës do të jetë një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore.

Anëtari i pestë është Richard Hodges, një njohës i mirë i Butrintit, që sipas Margaritit do të shërbejë si garanci dhe paanshmëri.

Ndërsa firmosi marrëveshje me Majkëll Granof, nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, 2 anëtarë të të cilit janë në bordin e Butrintit, Margariti tha se “marrëveshja që po lidhim sot krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve. Kjo marrëveshje krijon një marrëdhënie të mirërregulluar mes fondacionit të posaçëm dhe aktorëve të rëndësishëm institucionalë në Butrint, përmes Protokollit të bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; Bashkëpunimit me agjencitë e mbrojtjes mjedisore. Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore”.

Mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit u firmosën protokolli i bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; marrëveshja e grantit të AADF-së, marrëveshja e Administrimit mes Ministrisë dhe Fondacionit.

Ndër të tjera, Margariti theksoi se “për të gjithë ata që do të kenë pasur pikëpyetje mbi rolin e Ministrisë, këto tri firma, që vetë Ministri do të hedhë sot, besoj e uroj se do të zhdukin përfundimisht çdo hije dyshimi: Ministria e Kulturës ruan lidershipin në Butrint!"

Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Administrimit të pasurisë kulturore të Parkut Kombëtar të Butrintit u mbajt në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit 

Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019. Dokumenti i hartuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës i njohur si “Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, është miratuar nga Këshilli i Ministrave në korrik të vitit 2020.

“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.

Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.

Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.

Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.

Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë