Procesi zgjedhor për 21 komuna në Kosovë ka vijuar pa incidente, por deri në mesditë është vënë re një dalje e ulët në votime nga ana e qytetarëve. Sipas të dhënave të KQZ-së, rreth 10 për qind e votuesve kanë votuar deri në këtë orë, ndërsa udhëheqësit politikë u bënë thirrje që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar, ka thënë se “detyrimi qytetar për kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor”.
“Sot është ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi në mënyrë që nesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme – në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.
Ai i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre përmes udhëheqësve, të cilët do të zgjedhin.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca bëri gjithashtu të njëjtën thirrje.
“Sapo e shfrytëzova të drejtën demokratike e qytetare për të votuar. Kështu mendoj që duhet të bëjnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë sa më masive. Meqenëse sot është vendimi për t’i zgjedhur kryetarët e komunave anembanë Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë, dy kandidatët rivalë të Prishtinës, Arben Vitia i Vetëvendosjes dhe Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës u takuan në përfundim të procesit të votimit, për të përçuar te qytetarët mesazhin se këto zgjedhje nuk duhet të krijojnë ndasi, pavarësisht rezultatit të tyre.
Radio Europa e Lirë thotë se i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, në një postim në Twitter ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që të mos e humbin mundësinë për të votuar.
“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar prioritetet e komunës dhe vendimmarrjen e qeverisjes vendore”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndërkohë, koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, që po monitoron rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit në Kosovë, thotë se 97 për qind e qendrave të votimit janë dezinfektuar para hapjes, ndërsa udhëzimet se si të votohet sigurt duke respektuar masat kundër COVID-19 janë vendosur në 93 për qind të qendrave.
Në kohë pandemie Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ato lokale më 17 tetor dhe raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen të dielën më 14 nëntor.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse, si mbajtja e maskave mbrojtëse dhe mbajtja e distancës fizike.
Në njoftimin e mëngjesit të kësaj organizate, ndërkaq, thuhet se “ashtu sikur në rundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, edhe në balotazh rreth nw e katwrta e qendrave të votimit janë të paqasshme për personat me nevoja të veçanta.
Paraditen e së dielës të dy kandidatët në garën për Prishtinën, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë votuar rreth orës 9:00.
Kandidati i LVV-së, Vitia, duke ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, ka thënë se dita e zgjedhjeve është “një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin – sot vendoset fati i kryeqytetit – ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në procesin e votimit”.
Edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi siç ka thënë ai, “kohëra të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë”.
Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.
Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheqë me Qeverinë e Kosovës dhe që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë nuk e fitoi asnjë komunë. Kjo parti përballet në 12 komuna në rundin e balotazhit.
Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2017, LVV-ja kishte fituar tri komuna: Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën.
LDK-ja në rundin e dytë garon në nëntë komuna, PDK-ja në tetë komuna, AAK-ja në pesë komuna, Nisma Social-Demokrate dhe Partia Social- Demokrate zhvillojnë gara në nga një komunë, ndërkaq, në komunën e banuar me shumicë serbe, Kllokot, në garë do të jenë Lista Serbe dhe GI SNS.
Garat më të paparashikueshme pritet të zhvillohen në Prishtinë dhe Prizren.
Gara për Prishtinën zhvillohet ndërmjet Arben Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje, që në rundin e parë fitoi 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës që fitoi 29.17 për qind të votave.
Në Prizren ballafaqohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës me 31.36 për qind të votave.
Balotazhi në Gjilan zhvillohet ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.
Për kreun e Komunës së Gjakovës garojnë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në rundin e parë fitoi 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lila së LVV-së me 37.20 për qind të votave.
Balotazhi në Podujevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së që në rrethin e parë mblodhi 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së që mori 44.16 për qind të votave.
Në Komunën e Gllogovcit gara zhvillohet ndërmjet Ramiz Lladrovcit të PDK-së që në rundin e parë mori me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin që mori 30.50 për qind të votave.
Komuna e Kaçanikut garën e zhvillon ndërmjet Besim Ilazit nga Partia Demokratike e Kosoës me 44.67 për qind të votave të marra në rundin e parë, dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.
Dragashi në balotazh ka Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.
Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga Partia Social Demokratike me 32.52 për qind të votave të marra nga rundi i parë, dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.
Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave të marra në rrethin e parë dhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, garojnë për udhëheqjen e Fushë Kosovës.
Në Istog në balotazh janë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.
Balotazhi në Komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin që mori 48.12 për qind të votave në rundin e parë dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.
Në Klinë garojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave në rundin e parë.
Për kreun e Rahovecit gara zhvillohet ndërmjet Smajl Latifit të AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenicës nga LVV-ja me 24.84 për qind të votave të marra në rundin e parë.
Gara në Malishevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Kastratit nga Nisma Social -Demokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave të fituara në rundin e parë.
Në Viti në balotazh janë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave të marra në rundin e parë dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.
Komuna e Junikut ka kandidatë për kryetar Agron Kuçin nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave të marra në rundin e parë dhe Ruzhdi Shehun e LDK-së me 42.01 për qind të votave.
Në Vushtrri në balotazh janë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 33.82 për qind të votave.
Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.
Gara e balotazhit në Mamushë zhvillohet në mes Abdulhadi Krasniqit nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqit nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.
Kllokoti zhvillon rundin e balotazhit ndërmjet Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.
Nga partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës më 17 tetor fitoi më së shumti komuna, gjithsej katër: Mitrovicë e Jugut (Bedri Hamza), Ferizaj (Agim Aliu), Skenderaj (Fadil Nura) dhe Han i Elezit (Mehmet Ballazi).
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar dy komuna: Pejë (Gazmend Muhaxheri) dhe Lipjan (Imri Ahmeti). Numër të njëjtë të komunave ka fituar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Deçan (Bashkim Ramosaj) dhe Suharekë (Bali Muharremaj).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




