Ministria e Drejtësisë ka marrë një propozim zyrtar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore të vendit, por ndasitë mes dy institucioneve në lidhje me këtë ndarje duken aq të thella sa është dashur ngritja e një grupi të përbashkët pune për dakordësim.
“Kemi marrë një dokument pune nga KLGJ në lidhje me hartën gjyqësore. Janë ngritur dy grupe pune që po adresojnë problematikat. Shumë shpejt do të bëhet gati një draft i përbashkët i hartës gjyqësore që do t;i nënshtrohet më pas konsultimit publik”, deklaroi këtë të martë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Përplasja nuk është shpërfaqur ashpër në publik, por nga deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja kuptohet se diferencat mes dy institucioneve nuk janë të vogla. Manja ka thënë më herët se procesi për hartimin e hartës së re është i vështirë dhe duhet të ketë parasysh disa faktorë.
“Thelbi i hartës së re gjyqësore është përqendrimi i trupës gjyqësore. Ne do të shkojmë drejt variantit që do t’i çojmë shërbimet gjyqësore atje ku janë sot”, deklaroi ai.
Ky qëndrim i Manjës bie ndesh me disa propozime që Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë, që kur ky institucion drejtohej nga Etilda Gjonaj. E përbashkëta e të gjitha varianteve të propozuara është reduktimi drastik i numrit të gjykatave.
Mes varianteve, i preferuari nga KLGj është ai që redukton numrin e gjykatave të rretheve nga 34 që janë sot në vetëm 15 të tilla, ku 12 do të jenë gjykata sipas ndarjes së qarqeve, që do t’u shtohen tre të tjera në rrethe me numër të lartë popullsie, si Lushnja, Kavaja dhe Kruja.
KLGj propozon ngritjen maksimumi të tre gjykatave Apeli, një në veri, një në jug dhe një në Tiranë, ndërsa ekziston edhe një variant për vetëm një gjykatë të tillë me qendër në kryeqytet.
Gazeta Si mëson se variantet e KLGj-së janë pritur me rezerva nga Ministria e Drejtësisë për shkak të përqëndrimit të madh të tyre, si për numër popullsie, ashtu edhe hapësire gjeografike. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto variante mund të vështirësojnë edhe më tej aksesin e qytetarëve te shërbimet e sistemit të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




