Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja si drejtues i njësisë antikorrupsion të ngritur brenda këtij institucioni bëri daljen e parë para mediave për të njoftuar kallëzimin në prokurori të disa zyrtarëve të Autoritetit të Ushqimit të Fierit, sipas një denoncimi të marrë nga një qytetar.
“Qytetari është vendosur nën presion nga disa inspektorë të AKU në Fier, por ai e ka refuzuar dhe ka lajmëruar njësinë antikorrupsin dhe sot gjobëvënësit me akses shteti, por që nuk përfaqësojnë shtetin, do të përballen me drejtësinë dhe më besoni që nuk do ta kenë të lehtë. Do të vendosim në kallëzim edhe drejtuesin si person në dijeni”, tha Manja.
Pas denoncimit të këtij rasti, ministri i Drejtësisë u shpreh se që prej 27 tetorit, kur u ngrit struktura antikorrupsion pranë Ministrisë së Drejtësisë ka marrë rreth 250 denoncime nga qytetarët. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, kryesisht për proceset e legalizimeve.
“Janë 248 denoncime nga ASHK, AKU, AKBN, IKMT dhe shumë agjenci të tjera. Janë 248 denoncime të ardhura pas 27 tetor 2021, kur ka nisur funksionimin e njësisë antirkorrupsion”, tha ai.
Pse duhet besuar nisma aktuale e Qeverisë, ndërkohë që në të shkuarën ka pasur nisma të ngjashme, që kanë dështuar?
“Ne do të flasim me vepra dhe më besoni për këtë”, tha ministri Manja.
Ministri u shpreh se transparenca do të udhëheqë këtë proces. Ai premtoi se daljet do të jenë periodike javore dhe premtoi se të martën e ardhshme do të dalë me njoftimin për kallëzimin penal ndaj punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pas denoncimeve të qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




