Kosova

Mjekët ultimatum Qeverisë: Deri në fund të vitit duan ligjin për pagat

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës ka protestuar sot para Qeverisë me kërkesën e vetme, ligjin për pagat.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka akuzuar Qeverinë për mungesë të transparencës, ndërsa i ka dhënë ultimatum që deri në fund të vitit të miratohet dhe të zbatohet ligji për pagat.

“Ne sot kemi dalë t’i themi stop kësaj jo transparence dhe kemi dalë të paralajmërojmë që nëse ligji i pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë do të kthehet në reagime edhe më të ashpra sindikale. Kërkesa jonë e vetme është ligji i pagave, i cili do të vendoste barazinë sociale, me të cilën slogan ka ardhur edhe Qeveria aktuale, por kjo nuk po ndodh, Qeveria punon në mënyrë të fshehtë pa ftuar përfaqësuesit e sindikatave dhe shoqërisë civile”, ka thënë Syla.

Ai ka përmendur shqetësimin për ikjen e mjekëve, ndërsa ka paralajmëruar Qeverinë se pas 10 viteve do të pensionohen 1200 specialistë, duke vënë në dyshim nëse do të mbeten mjekë për të shëruar qytetarët.

“Vetëm këtë vit në tetë muajt e parë kanë ikur 142 mjekë, mosha mesatare e tyre është 31-vjeçare, kanë ikur me qindra infermierë mosha mesatare në QKMF është 57-vjeçare. Pas 10 viteve pensionohen 1200 specialistë dhe po ju pyes juve z.kryeministër, kush do ta shërojë këtë popullatë?”, ka thënë Syla.

Ai në fund i dha ultimatum Qeverisë që të bëjë hapa drejt kërkesave të tyre deri në fund të javës, në të kundërtën paralajmëroi bllokimin e sistemit shëndetësor. /Zeri/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë