Treg

‘Taksimi i gazit për konsumatorët do të rëndojë më tepër xhepat e shqiptarëve’

Akciza 6 lekë për litër e gazit për konsum do të rëndojë më tepër xhepat e qytetarëve që e përdornin atë si burim energjie më të përballueshëm.

Eksperti i tregut të energjisë, Eduard Elezi, thotë për Gazetasi.al se 70-80% e furnizimit me gaz nga konsumatorët është vetëm për përdorim shtëpiak dhe pak për qarkullim rrugor për makinat, që gjithashtu  e përdornin për të kursyer. Tani gazi nuk është më një nga shërbimet e lira për konsumatorët, të cilët duhet të heqin dorë nga mallra të tjerë.

Eksperti i tregut të energjisë, Eduard Elezi

“Në Shqipëri kemi treg gazi tezgash, me bombula, jo siç funksionon jashtë. Nuk kemi as sistem shpërndarjeje as sistem transmetimi. Në Korçë dhe Sarandë ka disa të tilla, por nuk krijohet një treg. Taksimi i këtij tregu është vetëm për të kaluar vëmendjen”, thotë Elezi.

Në Paketën e Re Fiskale, gazi për konsum dhe ai për arsye të tjera përdorimi do të unifikohet nën një akcizë prej 6 lekësh për litër, duke nisur nga korriku 2022. Gazi për konsum momentalisht nuk taksohet, ndërsa ai për qarkullim rrugor ka një akcizë prej 8 lekë për litër.

Sipas Elezit, implementimi i gazsjellësit TAP në Shqipëri, do të duhet të sjellë gjithashtu edhe një sistem më kompleks dhe ndryshe. Shumë kompani që duan akses në shpërndarjen e gazit që vjen nga TAP, po aplikojnë për një licencë që t’ua mundësojë këtë. Atëherë, shteti shqiptar  do të pranojë kushte të padëshirueshme.

“Rritja e tarifës së energjive në rajon ka ardhur për shkak të konflikteve të krijuara mbi gazin rus që shtrin shpërndarjen e vet në Europën Qendrore dhe problemi me njohjen e certifikatave të energjive të rinovueshme nga Anglia që dominon tregun botëror, por nuk i njeh më direktivat e BE-së që kur u largua nga ajo. Gjithashtu vendet aziatike po rrisin kërkesën për gaz të lëngshëm dhe kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e çmimeve në Europë”, thotë Elezi

Lidhur me krizën energjitike të paralajmëruar në vend, Elezi e cilëson si krizë financiare për shkak të keqmenaxhimit dhe jo krizë energjitike.

“Ka energji, por nuk ka para. Në një treg të hapur KESH, OSHEE dhe bizneset e mëdha furnizohen direkt pa një treg të rregulluar. Këtu ka keqmenaxhim. Pse këto kompani nuk marrin dot borxh, por duhet t’ua garantojë shteti. Ku shkoi fitimi? Ku u investuan paratë? Çfarë u bë me to? Përgjegjësia i kalon Entit Rregullator që është direkt në varësi të qeverisë”, thotë Elezi.

Kriza energjitike u njoftua nga Kryeministri i vendit,  Edi Rama, më 3 tetor 2021. Ai tha se kjo krizë mund të sjellë rritje çmimesh, por jo shkëputje të energjisë.

Që nga mesi i vitit 2021, Furnizuesi i Tregut të Lirë ka blerë energji me tarifa më të larta së në bursë dhe blerjet e fundit 273euro për mëh. Në fillim të këtij muaji OSHEE kërkoi 70 mln euro borxh nga BERZH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë