Ndikimi dhe përfitimet nga themelimi i Gjykatës Komerciale për sektorin privat në Kosovë, si dhe përmirësimi i klimës së investimeve, ishin disa nga temat kyçe të cilat u diskutuan gjatë një forumi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Doarsa Kica-Xhelili, deputete dhe kryesuese e grupit punues pranë Komisionit Parlamentar Legjislativ theksoi rëndësinë e formimit të Gjykatës Komerciale dhe përmendi lehtësimin e operimit të bizneseve pas formimit të tij.
Ajo tha se si kryesuese e këtij grupi punues konsideron se miratimi i Ligjit për Gjykatën Komerciale është esencial për nivelin e vendit dhe për të lehtësuar proceset dhe zgjidhjet e shpejta të konflikteve, duke theksuar në veçanti trajtimin e barabartë që kjo Gjykatë u ofron të gjitha bizneseve.
Kica-Xhelili u shpreh se janë të gatshëm që t’a shtyjnë votimin për themelimin e kësaj Gjykate në një afat sa më të shpejtë, gjithmonë duke konsideruar edhe sugjerimet dhe komentet e institucioneve dhe organizatave përkatëse për themelimin dhe mbarëvajtjen e saj.
Këshilltarja Ligjore e Kryeministrit të Kosovës, Tea Blakaj-Hoxha përmendi risitë në rast të themelimit të një gjykate të tillë. Sipas saj, Gjykata Komerciale do të jetë shembull edhe për gjykatat e tjera për mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të saj.
Përveç kësaj, ajo shtoi se objekti i ri, pas themelimit të kësaj Gjykate, do të ketë rritje të numrit të gjyqtarëve të rinj dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.
Chris Thompson, udhëheqës i Programit të USAID për Drejtësi Komerciale përmendi rëndësinë e Gjykatës Komerciale në rritjen e vendeve të punës dhe krijimin e hapësirës adekuate për investimet e huaja, e edhe ato vendore në Kosovë.
Thompson tha se menaxhimi i vështirësive të gjykatës i vëzhguar nga komuniteti i biznesit, asistimi i gjyqtarëve, shqyrtimi i rasteve në mes bizneseve dhe Qeverisë, si dhe adresimi i konteksteve në një adresë të vetme dhe të duhur janë disa nga lehtësimet që do i sillte themelimi i Gjykatës Komerciale.
Avokati nga Shita & Ibrahimaga, Ardi Shita tha se nuk ka zgjidhje më të mirë për përmirësimin e të bërit biznes, se themelimi i Gjykatës Komerciale, dhe kjo nuk vlen vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për vendet e tjera të rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.