Hetimet e SHÇBA-së në lidhje me trafikimin e klandestinëve, kanë nxjerrë në dritë shkelje të ndryshe nga ana e disa punonjësve të policisë në Tiranë dhe Korçë.
Mbrëmjen e të mërkurës, janë arrestuar tre efektivë në Tiranë dhe 6 të tjerë janë pezulluar në Korçë, mes tyre edhe shefi i Komisariatit, Krenar Gjokutaj e shefi i qarkullimit, Kelmend Pikuli.
Konkretisht, janë lënë në 'arrest në burg', Durim Murja, Jashar Shehu dhe Arjan Balla me detyrë trup shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë, pasi nga përgjimet rezulton se kanë lejuar disa lokale që të qëndrojnë të hapura përtej orës policore.
Po ashtu, është lënë në ‘arrest shtëpie’, Matilda Hamolli me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Ndërsa në Korçë, Gjokutaj dhe Pikuli, akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm” dhe 4 punonjësit e tjerë të Policisë Rrugore të Korçës, Petro Fraholli, Genci Hysi, Çlirim Akrobati dhe Kamber Kllogjeri, për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se personat e përfshirë, dyshohet se kanë lejuar, ose kanë ndikuar në tolerimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë edhe lëvizjen e mjeteve gjatë orarit kufizues të vendosur në kuadër të masave anti-Covid.
Përveç shpërdorimit të detyrës, krerët e Policië Rrugore të Korçë dhe vartësit e tyre, akuzohen edhe për premtim për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.