Irena Beqiraj

Rritja e kursimeve si gjumi i fëmijës që lëngon!


“Si po bie konsumi kur kursimet e vogla sot në banka janë më lart se kanë qenë ndonjëherë tjetër. Po flas për kursime të njerëzve të zakonshëm”, tha kryeministri.

Po miku im! Kur rriten kursimet, bie konsumi. Madje profesorëve të makroekonomisë u doli rryli i fytit duke ua shpjeguar këtë studentëve. Për të kontrolluar sasinë e parasë në qarkullim një shkencë e tërë që quhet politikë monetare, bën pikërisht këtë, incentivon herë kursimin në kurriz të konsumit e herë konsumin dhe investimet në kurriz të kursimit.

Shqiptarët padyshim sillen si qenie njerëzore normale. Në kohë pasigurie, kur krizat edhe armiqtë e dukshëm e të padukshëm shtohen, kofidenca e konsumatorit bie, kofidenca e bizneseve bie, pakësohet konsumi edhe investimet, e rritet kursimi.

Depozitat janë rritur 4 herë më shumë sesa kredia. 2.3 miliard euro të shqiptarëve (burimi BSH), flenë në banka, me gjithë rënien e normave të interesit, e cila ka synuar të rritë pikërisht konsumin edhe kredinë.

Flenë pa asnjë mundësi për t’u investuar, për të gjeneruar të ardhura edhe rritje ekonomike.

Flenë siç fle një fëmijë që lëngon. Edhe në këtë rast vetëm një prind që nuk kupton se çfarë po ndodh, apo  është këshilluar me “mjek popullor” i gëzohet gjumit të tij.

Edhe ky nuk është problem edhe aq i vogël. Kjo “sëmundje” ekonomike quhet stanjacion jociklik.


Copyright © Gazeta “Si”