Kombetarja

Mungesat, Rraklli: E dhimbshme kjo e Gjasulës, rolet ndryshohen në një ndeshje si kjo

Kombëtarja jonë është përballur me mungesa të papritura para ndeshjes vendimtare me Poloninë, ku luhet vendi i dytë në grup, që të çon në “Play-off”. Pas Gjimshitit të dëmtuar dhe Çekiçit të skualifikuar, Covid-19 ka ndalur edhe Cikalleshin dhe Gjasulën. Janë shumë mungesa për një skuadër të vogël si Shqipëria në një ndeshje kaq delikate.

Altin Rraklli, ish-sulmues i Kombëtares, pohon për “Gazeta Si” se mungesa e Gjasulës është shumë e dhimbshme. Megjithatë, ai thekson se ndeshja me Poloninë është nga ato ku duhet rrezikuar për fitoren dhe ku rolet e lojtarëve mund të ndryshojnë. “Shumë mungesa? Po vij vetë, po marr edhe Bushin dhe Lalën”, – thotë në fillim me humor ish-lojtari i Kombëtares.

Më pas, Rraklli flet me detaje për ndeshjen dhe skuadrën tonë: “Mungesa e fundit e Gjasulës është shumë e dhimbshme, është një lojtar shumë i rëndësishëm. Gjasula është stabilizator i fazës mbrojtëse dhe iniciatori i organizimit të fazës sulmuese. Shumë luftarak në tokë dhe në ajër. Në dyluftime është shumë mirë, ndaj dhe them se na prish shumë punë. Cikalleshi gjithashtu”.

Kombetarja para ndeshjes me Hungarine ne Budapest. Gazeta Si, 12 tetor 2021

A kemi shanse për fitore me gjithë këto mungesa? Rraklli përgjigjet: “Shanset janë gjithmonë, sepse mund të manovrojmë mendoj. Trajneri Reja i njeh mirë lojtarët tashmë dhe do të bëjë zgjedhjen e duhur. Na duhet të rrezikojmë për të marrë 3 pikët. Mendoj se kjo është një ndeshje, ku edhe një mbrojtës mund ta fusësh sulmues dhe anasjelltas, sepse në fund, përveç anës e vendosjes tekniko-taktike, një rol vendimtar do të ketë motivimi, dëshira, nervi dhe lufta e secilit.

Prandaj them që edhe rolet në një ndeshje të tillë edhe mund të ndryshohen. Me pak fjalë, skuadra duhet tëe funksionojë e tëra në kompleks dhe të lodhet shumë këtë ndeshje, nëse duam ta fitojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë