Kombetarja

“Shqipëria ëndërron me baby Brojën”. Sulmuesi kuqezi merr vëmendjen në Europë

Armando Broja, lojtari i momentit për Kombëtaren tonë, ka marrë vëmendje të madhe edhe në shtypin sportiv europian. Dy golat e tij ndaj Hungarisë, por edhe asistet që ka dhënë në ndeshjet e fundit, e kanë bërë protagonist absolut.

Prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull Brojës dhe Kombëtares sonë me titullin “L’Albania sogna il Modiale, grazie e baby Broja” (Shqipëria ëndërron Botërorin, falë baby Brojës). Në këtë artikull shkruhet për ndeshjen e sotme me Poloninë dhe shanset për të shkuar në Botëror, për progresin që ka bërë skuadra e drejtuar nga Reja dhe për “xhevahirin” e fundit që luan me fanellën e shqiponjave, Armando Brojën.

Armando Broja feston golin e fitores ndaj Hungarisë. Gazeta Si, 12 tetor 2021

Mes të tjerash, për Brojën shkruhet: “Për shumë njerëz ky emër mund të mos thotë asgjë, pasi kurrikulumi i tij si profesionist flet për një sezon me një shifër të dyfishtë golash në Holandë, me Viteshen, si dhe për 5 ndeshje si zëvendësues në Premier Ligë. Broja po i surprizën të gjithë me Kombëtaren shqiptare, ku 20-vjeçari ka rezultuar vendimtar.

Lojtari në pronësi të Çelsit, këtë sezon ka luajtur vetëm 83 minuta me Southemptonin, kurse me Shqipërinë numëron 9 ndeshje në total që nga debutimi në shtator 2020, 4 nga të cilat titullar. Në 3 ndeshjet e fundit kualifikuese të Katar 2022 Broja ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 2 asiste.

Ndaj San Marinos, Reja e hodhi në fushë në pjesën e dytë dhe Broja shërbeu për golin e dytë dhe më pas shënoi golin e tretë. Pastaj sfida e dyfishtë me Hungarinë, që e lejon Shqipërinë të mbajë vendin e dytë në grup. Të dyja këto sfida kanë qenë të bllokuara 0-0 10 minuta para fundit dhe u vendosën nga Broja. Në të parën 20-vjeçari befasoi portierin hungarez në shtyllën e parë pas një vrapimi të gjatë, kurse në Budapest u liria nga markimi dhe më një të djathtë të fuqishme rrafsh me tokën i dha 3 pikë të tjera skuadrës. Tani pritet një Shqipëri-Poloni mjaft e ndezur në Tiranë, ku Broja do të ketë hapësirën e tij.

Broja ka lindur në 2001-shin në Slough, rreth 30 kilometra larg Londrës. Në moshën 6-vjeçare ishte pjesë e Totenhemit, por 2 vjet më pas shkoi te Çelsi, ku kaloi gjithë ekipet e moshave. Në mars të 2020-ës, para karantinës, debutoi në kampionat kundër Evertonit, Frenk Lampard e futi në fushë 4 minuta para fundit në vend të Zhiru. Atë vit Broja la shenjë në Fa Cup të të rinjve, me 4 gola dhe 5 asiste në 4 ndeshje. Në fund të sezonit Çelsi vendosi ta huazonte në Holandë, te klubi satelit i Viteshes, ku sulmuesi shënoi 11 gola.

Kjo bëri që të grumbullohej në Kombëtare, ndërsa Southemptoni e kërkoi në huazim. I fortë fizikisht me 191 centimetrat e tij, Broja është një qendërsulmues që pëlqen thellësinë, e njeh mirë portën. Për shumë është një lojtar i papjekur, por me atë që po bën me Shqipërinë ka ngritur antenat e Çelsit për ta mbajtur nën vëzhgim. Robert Levandovski me shokë do ta bëjnë këtë gjë pa dyshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë