Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit, pas hetimeve disa mujore, ka kryer kontrolle në disa vendndodhje të ndryshme, ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit, përfshirë armë automatike të llojeve të ndryshme, municion, granata dore dhe pajisje tjera të ndryshme.
Ky aksion është në vazhdën e veprimeve të ndërmarra dje në rajonin e Pejës dhe Prizrenit, i cili kishte rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar si dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme.
Prokuroria Speciale njofton se arrestimi i personave të dyshuar është kryer mbi dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Kosovës ku dyshohen për veprat penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








