Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka urdhëruar Policinë e Kosovës që brenda dy javëve, të ofrojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saj, ndër të tjera, për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç speficikohet më tej në aneksin e këtij urdhri, të ofrojë informata sa i përket: autoritetit dhe aftësisë së Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që janë subjekt të lirimit me kusht, monitorojnë dhe kufizojnë komunikimet e individëve të tillë, të administrojnë arrestin shtëpiak dhe të zbatojnë kushtet e bashkangjitura me lirimin e përkohshëm dhe rastet e mëparshme të aplikimit të këtyre kushteve te personat e liruara me kusht të akuzuar për krime të rënda. Po ashtu, Policia e Kosovës mund të ofrojë çdo informatë shtesë që mund të konsiderohet si relevante në lidhje me fuqizimin e lirimit me kusht. Policia e Kosovës duhet të lidhet me çdo departament apo autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informatat e nevojshme”, thuhet në urdhrin e lëshuar nga Guillou.
Paneli i Gjykatës së Apelit në Speciale ka miratuar pjesërisht apelet e Veselit, Selimit e Krasniqit kundër vendimeve të gjykatësit së procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.
“Paneli miratoi një arsye apelimi për secilin të akuzuar dhe ia ktheu çështjen prapa gjykatësit të procedurës paraprake për vlerësim të mëtejshëm, nëse masat e propozuara nga të paraburgosurit ose çdo kusht tjetër që gjykatësi i procedurës paraprake e identifikon si të domosdoshëm, mund të zvogëlojnë rreziqet e identifikuara dhe të zbatohen në mënyrë efektive nga policia e Kosovës. Arsyet e tjera të apelit u hodhën poshtë”, u tha nga paneli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




