“Air Albania” do të jetë i mbushur plot në ndeshjen e nesërme me Poloninë. Rreth 22 mijë tifozë pritet të jenë të pranishëm në këtë impiant, pasi, sipas FSHF-së dhe presidentit të saj Armand Duka, janë shitur të gjitha biletat.
Sipas rregullave, stadiumi duhej të mbushej deri në 30% të kapacitetit të tij, por në këtë rast FSHF ka marrë lejen dhe miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë. “Na është dhënë leja për ta pasur stadiumin plot ndaj Polonisë”, – pohoi presidenti Duka pas fitores me Hungarinë.

Shitja e të gjitha biletave do të thotë mbushje e arkave të FSHF-së, si dhe një ndihmë e madhe për Kombëtaren tonë në një ndeshje vendimtare për objekitivin e vendit të dytë, që krijon mundësinë për të shkuar në “Play off”-in e Botërorit. Kuqezinjtë në fushë do të kenë mbështetjen e fuqishme të “lojtarit të 12-të”, edhe pse një pjesë e mirë e të pranishmëve në stadium pritet të jenë “tifozë me kollare”.
Është një tolerim ndoshta i rrezikshëm nga Ministria e Shëndetësisë në këtë rast, duke pasur parasysh situatën që po kalon vendi sa i takon Covid-19. Një pjesëmarrje kaq masive njerëzish në një vend mund të shndërrohet në një vatër infeksioni. Por le të të shpresojmë që të mos ndodhë kështu dhe që t’ia vlejë ky tolerim për të mirën e Kombëtares. “Air Albania” është mbushur me tifozë vetëm gjatë ndeshjes Shqipëri-Francë në 2019-ën dhe në një derbi Tirana-Partizani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




