Kryeministri Edi Rama zhvilloi disa ditë më parë vizitën e parë zyrtare të një Kryeministri shqiptar në Spanjë, ku zhvilloi një sërë takimesh me udhëheqësit vendas. Në një intervistë për Radiotelevizionin spanjoll, Rama u ndal te Kosova, integrimi dhe bashkëpunimi dypalësh.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkaqe të brendshme dhe duke iu trembur precedentit se një vendim i tillë mund të nxisë shkëputjen e Katalonjës.
Por, Kryeministri Edi Rama tha se rasti i Kosovës nuk mund të gjejë krahasim me lëvizjet separatiste brenda Spanjës.
“E dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Por, duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste, apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.
Sa për integrimin, Rama përsëriti se tashmë dilema nuk është se çfarë duhet të bëjë më tepër rajoni, por çfarë dhe si do t’i zgjidhë BE problemet e veta të brendshme. Kryeministri deklaroi se ka vende të treta që po përpiqen të shfrytëzojnë pasigurinë e Brukselit në rajon, por theksoi se Shqipëria është imune ndaj tyre.
“Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufij europianë, jemi një organ i trupit të Europës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë”, tha ai.
Sa për bashkëpunimin dypalësh, Rama thotë se ka vënë re gatishmërinë e Kryeministrit spanjoll, Sanchez që Spanja të jetë më aktive në rajon dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të përforcohen.
“Do të doja të vija në dukje faktin se kryeministri Sanchez, në të shkuarën i ka njohur nga afër periudhën e tmerrshme të historisë konflikteve në rajonin tonë dhe e ka ndjeshmërinë e duhur për ta mbështetur ndryshimin. Në fakt ai kërkon që Spanja të jetë më e pranishme në zonën tonë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




