Kombetarja

Formacioni ndaj Hungarisë/ Reja zgjedh Uzunin në sulm, titullar edhe Çekiçi

Edhe në stërvitjen e fundit, ku ka dhënë udhëzimet përmbyllëse para ndeshjes së sotme me Hungarinë, trajneri Edi Reja ka provuar Myrto Uzunin nga minuta e parë, në krah të Cikalleshit. Sulmuesi beratas luan në Hungari me Ferencvaroshin, është një nga më të mirët në këtë kampionat dhe gëzon një formë të mirë sportive. Të gjitha këto duket se e kanë shtyrë trajneri Reja për t’i besuar Uzunit nga minuta e parë.

Reja gjithmonë ka besuar te dyshja Cikalleshi-Manaj, por këtë herë ka menduar që sulmuesi i Specias, që nuk ka luajtur rregullisht kohët e fundit, ta nisë nga stoli. Nga stoli pritet ta nisë edhe Nedim Bajrami, lojtari i shumëpritur për të luajtur me kuqezinjtë. Një vend titullari në mefushë, me shumë mundësi, do të zërë Çekiçi, ndërsa Bare dhe Gjasula janë të padiskutueshëm.

Trajneri Reja duke udhezuar te tijte ne Budapest. Gazeta Si, 9 tetor 2021

Në prapavijë zgjedhjet e trajnerit italian janë po ato të ndeshjeve të fundit: Berisha në portë, Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti para tij, ndërsa Hysaj dhe Trashi do të mbulojnë krahët, duke ndihmuar skuadrën si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm me daljet e tyre. Ivan Balliu do ta nisë nga stoli. Ky pritet të jetë formacioni i Shqipërisë sot në Budapest. Ndeshja nis në orën 20:45.

Alternativat në stol nuk mungojnë për trajnerin Reja. Broja, Manaj, Bajrami dhe të tjerë janë gati në çdo moment, në varësi të situatës. Shqipëria mban vendin e dytë për momentin në Grupin 1, me 12 pikë, kurse Hungaria ka 2 pikë më pak. Objektivi minimal në këtë ndeshje është barazimi.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 3-5-2
Berisha
Ismajli Kumbulla Gjimshiti
Hysaj Bare Gjasula Çekiçi Trashi
Cikalleshi Uzuni


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë