Kombetarja

Video/ Reja premton një ndeshje të madhe dhe fitore në Hungari

Në prag të ndeshjes me Hungarinë në Budapest, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka theksuar se Shqipëria është gati për të bërë një ndeshje të madhe dhe për të fituar me Hungarinë. Ai ka pohuar se ka ende ndonjë dyshim sa i takon formacionit, ndërkohë që ka vlerësuar edhe kundërshtarin për forcën që ka, sidomos në aspektin fizik.

“E kam thënë gjithë kohës se për ne janë të gjitha ndeshje finale. Duam të vazhdojmë ta mbajmë gjallë këtë ëndërr për të mbajtur vendin e dytë deri në fund. Nëse humbim, dalim nga objektivat. E dimë shumë mirë forcën e Hungarisë, por edhe ne po kalojmë një moment pozitiv. Jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe dhe për të fituar”, – ka theksuar trajneri Reja fillimisht.

Pastaj ai ka folur për çështjen e formacionit dhe dyshimet që ka: “Kam dyshime, sepse një trajner ka gjithmonë dyshime. Kam një grup prej 24 lojtarësh në dispozicion, kemi edhe rifiniturën dhe pastaj do të vendos për formacionin. Duhet të shikoj gjendjen e të gjithë lojtarëve për të zgjedhur ata që janë në gjendjen më të mirë fizike. Ata që do të zbresin në fushë, do të japin maksimumin me siguri”.

Reja, duke u fokusuar tek ajo çfarë pret nesër në fushë dhe për kundërshtarin, ka shtuar: “Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që do të na jepen. Hungari do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë. E njoh trajnerin e tyre italian, Rosin, dhe e di pak a shumë se si do të luajnë. Do të përpiqen të marrin kontrollin e lojës dhe të na sulmojnë, duhet t’u përgjigjemi në mënyrën e duhur. Me lojtarët e shpejtë që kemi, duhet t’i godasim.

Bajrami është një lojtar që ka aftësi shumë të mira teknike, sidomos në sulm. Ekipi duhet të jetë gati në çdo moment, në çdo repart, që të sulmojmë kundërshtarin. Shpresoj shumë të marrim një rezultat të mirë me Hungarinë. Për Poloninë mendojmë më vonë. Shpresoj të jemi ne që do të shënojmë të parët dhe do ta ruajmë fitoren”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë