Kombetarja

Video/ Fitore në shenjën e Muçit, Shpresat mundin Andorrën për herë të dytë

Shqipëria U-21, e drejtuar nga Alban Bushi, ka marrë sot fitoren e dytë në Grupin G të kualifikueseve të Europianit. Kuqezinjtë e vegjël kanë mundur sërish Andorrën, këtë herë 2-0 në “Elbasan Arena”, duke shkuar në kuotën e 6 pikëve pas 3 ndeshjesh. Të gjitha pikët janë marrë ndaj të njëjtit kundërshtar, Andorrës, ndërkohë që humbja është regjistruar ndaj Çekisë në transfertë.

Njeriu i ndeshjes ishte pa dyshim Ernest Muçi, autori i dy golave për Shqipërinë, si dhe protagonist i një penalltie të humbur. Sulmuesi i Legias i shënoi të dy golat me goditje dënimi, por nuk mundi të mposhtte portierin kundërshtar nga pika e 11-metërshit. Kuqezinjtë e dominuan ndeshjen, por shpërdoruan shumë dhe në ndonjë moment ishin edhe pak konfuzë.

Grupi G, ku bën pjesë Shqipëria, kryesohet nga Çekia, që sot mundi 0-1 Kosovën dhe u ngjit në kuotën e 9 pikëve pas 3 ndeshjesh. Kosova ka vetëm 3 pikë në grup, ku fitoren e vetme edhe ajo e ka ndaj Andorrës.

Shqipëri-Andorra 2-0
Shqipëria: Tafas, Marku, Selmani, Pëllumbi, Ndrecka, Asllani, Karrica, Çelhaka, Dobra, Muçi, Cara, Trajner: Alban Bushi
Andorra: Himenez, Gerrero, Vales, Trave, Ines, Pubil, Izkuierdo, Myler, Planes, Garsia, Ubaç. Trajner: Eloi Kasals


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë