Elseid Hysaj dhe Sokol Cikalleshi, dy nga titullarët kryesorë të Kombëtares, kanë folur sot për ndeshjen me Hungarinë, që zhvillohet më 9 tetor në “Puskas Arena”. Dy senatorët kuqezi e kanë vënë theksin te rendësia e dy ndeshjebe të radhës dhe kanë shprehur besimin se Shqipëria mund të dalë me 6 pikë nga këto 180 minuta.
Hysaj ka theksuar se Shqipëria është gati për të kërkuar vetëm fitoren në Budapest: “Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje. Kemi analizuar ndeshjen e parë me trajnerin dhe jemi duke e përgatitur në mënyrë sa më të mirë këtë sfidë. Mbrojtja? Me Poloninë kemi gabuar, e kemi thënë. Kemi studiuar Hungarinë, sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam këtë, me Poloninë është pak më ndryshe. Duhet të fitojmë me Hungarinë, pastaj të mendojmë mirë për Poloninë.
Ne llogarisim 6 pikë më këto dy ndeshje. Me gjithë këta lojtarë që kemi, duam t’i fitojmë të dyja ndeshjet, i kemi mundësitë dhe duhet të besojmë te vetja. Shpresoj të japim maksimumin, mos të bëjmë gabime dhe shpresoj ndonjë gol për Cikalleshin apo sulmuesit e tjerë. Presion për fitore me Hungarinë? Nuk ka presion, por shpresoj që çunat ta marrin sa më “vështirë” këtë ndeshje, sepse vërtet është e rëndësishme për ne”, – tha Hysaj në konferencë shtypi.
Sokol Cikalleshi gjithashtu beson për dy fitore, duke parë formën e mirë të kuqezinjve. “Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për Koombëtaren. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe nëse trajneri e shikon të arsyeshme, uroj të kem sa më shumë minuta dhe të shënoj. Kam pasur vazhdimësi dhe dua ta mbaj sa më gjatë. Kur sulmuesit shënojnë, është diçka pozitive, por nuk duhet të fokusohemi vetëm te sulmi. Ekipi duhet të funksionojë si një grup.
Të gjithë lojtarët në klubet e tyre po marrin minuta dhe kjo është më e rëndësishme. Kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi marrë edhe rezultate. Ndeshjet e radhës janë të rëndësishme, na tregojnë se mund të qëndrojmë brenda objektivit, apo mund të mendojmë diçka tjetër. Jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive, që mund të na dërgojnë në Botëror. Jam i sigurt se secili prej nesh është gati për të dhënë maksimumin në fushë.
Nuk është e thënë se shkojmë vetëm për 3 pikë, sepse futboll është dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. Por, duke parë momentin dhe formën e lojtarëve tanë, mendojmë të shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen. Do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj saj dhe me ndihmën e tifozëve që do të jenë në “Air Albania”, besoj se edhe Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim”, – theksoi sulmuesi kavajas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




