Në gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë, ka nisur procesi i rregullt gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Seanca do të vijojë deri në orën 16:00 të ditës së enjte dhe i gjithë procesi i gjykimit synohet të përfundojë më 17 dhjetor të vitit 2021.
Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith ka deklaruar se Zyra a Prokurorit të Specializuar (ZPS) duhet të lexojë gjithë aktakuzën në versionin e redaktuar, në fillimin e procesit të gjykimit. Për këtë gjë, mbrojtja e Gucatit dhe Haradiajt ka kërkuar që aktakuza të lexohet tërësisht në publik, meqë siç ka theksuar, gjyqi është publik.
Sipas Kosovapress, Zyra e Prokurorit parashikon mbajtjen e dy deri në tri seancave për fjalën hapëse me rreth katër orë material audio-vizual, në fillim të procesit të gjykimit.
Kryetari i trupit gjykues Smith ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’ia japë mbrojtjes listën e provave materiale brenda 24 orëve para hapjes së çështjes, përfshirë këtu edhe videot të cilat planifikohen të përdoren si prova materiale prej ZPS-së.
Sipas trupit gjykues, prezantimi i ZPS-së duhet të përfundojë më 18 tetor 2021, ndërsa ZPS-ja duhet ta përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj brenda katër seancave. Për kohën e kundër-pyetjeve nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues nuk ka përcaktuar një afat, por kryetari i trupit gjykues ka deklaruar se do të ndërhyjnë në kohë nëse është e nevojshme.
Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet “në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate”.
Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




