Kosova

Kurti dhe Vuçiç takohen në samitin e Sllovenisë, biseduan mbi lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Sllovenisë ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, Kurti ka thënë se është diskutuar për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave.

“Në takimin me kancelaren Angela Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërsa Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën. Ndërkaq, udhëheqësit e BE-së, me pëlqimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, miratuan një Deklaratë në samitin BE-Ballkan Perëndimor në Brdo pranë Kranj, duke riafirmuar angazhimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit dhe duke njoftuar intensifikimin e angazhimit të përbashkët për transformimin e përgjithshëm të Rajon. Deklarata nuk përmend afate apo data në lidhje me vazhdimin e procesit të zgjerimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë