Kosova

Samiti i Sllovenisë, Kurti takim me Vuçiç, në prani të Merkel dhe Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të samitit mes krerëve të Bashkimit Evropian dhe liderëve politikë të shteteve të Ballkanit Perëndimor i cili mbahet të mërkurën në Bërdo te Krajni, Slloveni.

Kurti para gazetarëve tha se me Vuçiçin do të takohet gjatë pauzës mes dy sesioneve të samitit, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, ndërsa na duhet një marrëveshje”, tha Kurti, duke shtuar se “fondet evropiane nuk shkojnë pa vlerat evropiane”.

Kryeministri Kurti ka folur edhe në lidhje me procesin integrues të Kosovës në BE.

Ai u shfaq kritik ndaj BE-së sa i përket liberalizimit të vizave, duke shfaqur shpresën se Unioni do t’i qëndrojë prapa premtimit për zgjerimin por edhe që ta zhbëjë “padrejtësinë e madhe” për qytetarët e Kosovës, që është liberalizimi i vizave.

“Kanë kaluar mbi tre vjet që kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për të dytën herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë padrejtësi e madhe, mungesë drejtësie ndaj qytetarëve të vendeve tona që kanë vuajtur shumë. Shpresojmë që ky samit ta bëjë BE-në t’i qëndrojë prapa esencës së saj, e që është zgjerimi, si projekti më i rëndësishëm politik dhe procesi historik për paqe dhe prosperitet që nga Lufta e Dytë Botërore. BE-ja duhet ta vazhdojë zgjerimin që të bëhet Evropë. Dhe Ballkani Perëndimor është rajoni që i mungon BE-së për t’u bërë Evropë. Ne jemi Evropë, por BE-ja duhet të bëhet Evropë”, theksoi Kurti para gazetarëve në Slloveni.

Ai tha se shpreson që edhe pesë vendet e BE-së që nuk e njohin ende Kosovën, ta bëjnë këtë sa më shpejt.

“Janë pesë shtete mosnjohëse. Shpresoj që së shpejti të bashkohen me vendet tjera që na njohim. Në raportet tona ndaj BE-së, jemi kritikë, por pa qenë të hidhëruar dhe të frikësuar. Avokoj për mungesë frike nga ana e BE-së dhe mungesë hidhërimi nga ana e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh kryeministri i Kosovës, raporton Zeri.info.

I pyetur në lidhje me draft-deklaratën e vendeve të BE-së që do të dalë nga samit, Kurti tha se është kritik ndaj saj, por që tha se nuk i ka humbur shpresat për zgjerimin.

“Jam kritik (për deklaratën) sepse ka mundur të jetë më e mirë. Por ende shpresoj që BE-ja do t’i mbetet prapa esencës së saj që është zgjerimi”, theksoi Kurti.

I pyetur nëse është zgjidhja për Kosovën kthimi kah Rusia apo Kina, Kurti e mohoi këtë, duke potencuar se fati i Kosovës është BE-ja.

“S’kemi pranuar asnjë vaksinë nga Rusia apo Kina. BE-ja është fati ynë dhe Evropa është kontinenti ynë”, tha kryeministri i Kosovës.

Kurti u pyet edhe në lidhje me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për atë nëse BE-ja po bën mjaftueshëm për t’i qetësuar këto tensione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë