Ekonomi

Yuri Kim në Skavicë: Tri prioritetet tona, demokracia, mbrojtja dhe biznesi

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku së bashku me ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim vizituan zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës. Atje ka nisur puna në terren nga kompania amerikane Bechtel ENKA për hartimin e projektit i cili konsiderohet si pjesa e katërt e kaskadës së Drinit.

Ambasadorja Yuri Kim ka ritheksuar prioritetet e SHBA në Shqipëri.

“Kur mbërrita në Shqipëri, unë e bëra shumë të qartë që kemi tre prioritete, demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Mbrëmë kemi festuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
Sikurse jeni në dijeni, ne kemi bërë përparim. Sa i përket mbrojtjes, Shqipëria pati mundësi të mikpriste një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Ballkanit. Gjithashtu jeni në dijeni, në frontin e demokracisë ne kemi bërë përparim siç është për shembull gjithë mbështetja për reformën në drejtësi, dhe për sa i përket biznesit ne do vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese.
Sikurse më keni dëgjuar unë jam shprehur gjithmonë për rëndësinë e të sjellit më shumë mundësi ekonomike në veri të Shqipërisë dhe është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane. Jemi vërtetë të kënaqur që ndodhemi këtu në fazat e hershme të këtij projekti dhe presim me kënaqësi se çfarë do të ndodhë më tej”, deklaroi ambasadorja amerikane.

Sipas Ballukut, HEC-i i Skavicës kontribuon në transformimin e Shqipërisë në vend eksportues neto të energjisë. “HEC Skavica, pjesa e katërt dhe e munguar e kaskadës së Drinit prej 50 vjetësh, e cila rrit sigurinë energjetike, rrit kapacitetet prodhuese dhe mbrojtjen nga përmbytjet, kontribuon ndjeshëm drejt transformimit të Shqipërisë në vend eksportues neto të energjisë elektrike”, deklaron Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë