Drejtësia

Harta e re gjyqësore ‘përplas’ Ministrinë e Drejtësisë dhe KLGj-në

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësorë kanë përplasje në lidhje me hartën e re gjyqësore të vendit dhe numrin e gjykatave në total.

Përplasja nuk është shpërfaqur publikisht, por nga një deklaratë e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja kuptohet se diferencat mes dy institucioneve nuk janë të vogla.

Manja tha se procesi për hartimin e hartës së re është i vështirë dhe duhet të ketë parasysh disa faktorë.

“Thelbi i hartës së re gjyqësore është përqendrimi i trupës gjyqësore. Ne do të shkojmë drejt variantit që do t’i çojmë shërbimet gjyqësore atje ku janë sot”, deklaroi ai.

Deklarata e Manjës bie ndesh me disa propozime që Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë, që kur ky institucion drejtohej nga Etilda Gjonaj. E përbashkëta e të gjitha varianteve të propozuara është reduktimi drastik i numrit të gjykatave.

Mes varianteve, i preferuari nga KLGj është ai që redukton numrin e gjykatave të rretheve nga 34 që janë sot në vetëm 15 të tilla, ku 12 do të jenë gjykata sipas ndarjes së qarqeve, që do t’u shtohen tre të tjera në rrethe me numër të lartë popullsie, si Lushnja, Kavaja dhe Kruja.

KLGj propozon gjithashtu edhe ngritjen maksimumi të tre gjykatave Apeli, një në veri, një në jug dhe një në Tiranë, ndërsa ekziston edhe një variant për vetëm një gjykatë të tillë me qendër në kryeqytet.

Gazeta Si mëson se variantet e KLGj-së janë pritur me rezerva nga Ministria e Drejtësisë për shkak të përqëndrimit të madh të tyre, si për numër popullsie, ashtu edhe hapësire gjeografike. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto variante mund të vështirësojnë edhe më tej aksesin e qytetarëve te shërbimet e sistemit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë