Kosova

Marrëveshja për targat/ Kurti: Tani nis epoka kur Serbia mësohet me reciprocitet. Vuçiç: Fitore për serbët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar nëpërmjet Facebook-ut për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel mes palës kosovare dhe serbe lidhur me reciprocitetin e targave.
Kurti ka shprehur dakordësinë e tij lidhur me marrëveshjen, duke thënë se policia kufitare e Kosovës dhe KFOR do të jenë në gaditshmëri për zbatimin e saj dhe që njësia speciale e Kosovës mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Kurti gjithashtu është shprehur se tani është koha që Serbia do fillojë të mësohet me reciprocitet.
“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.
Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, shkruan kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Vuçiç: Fitore për serbët

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për targat dhe e ka quajtur atë fitore për serbët. Ai tha se është gjë e mirë që Njësia Speciale e Kosovës, apo e shqiptarëve siç e ka quajtur ai, do të tërhiqet dhe ka shtuar se një aksion i tillë në të ardhmen do të hasë në rezistencë edhe më të fortë të popullatës serbe.“E kem njoftuar faktorin ndërkombëtar, se në të ardhmen nëse KFOR-i nuk mbron serbët, do të dimë vetë t’i mbrojmë”, ka thënë ai, duke aluduar për futje të ushtrisë serbe në Kosovë.

Duke folur për targat, ka thënë se Beogradi ishte ai që insistoi për regjimin e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

“Do të vlejnë edhe targat e Serbisë të lëshuara për qytetet Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan e Ferizaj. Ata që i kanë ato, e që janë rreth 9.000 vetura, do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbinë qendrore dhe në veri të Kosovës, askush nuk do t’i pengojë e as nuk do t’ua marrë”, ka thënë Vuçiqi.

Ka thënë se në të ardhmen në rast të ngjarjeve të tilla, do të ketë reagim më të ashpër të serbëve.

“Është paraparë tërheqja e ROSU dhe kjo është dëshmi se në të ardhmen këto aksione të shqiptarëve do të hasin në rezistencë të popullatës serbe. Kthimi i KFOR-it bazuar në rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe kjo do të ofrojë siguri dhe garanci për serbët”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media në Prishtinë.

Që 11 ditë rrugët që çojnë në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar nga serbët, të pakënaqur me masën e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat.

Nga 20 shtatori, makinat me targa të Serbisë, kur janë futur në Kosovë është dashur t’i marrin të përkohshme RKS, ndërkohë që këtë praktikë Serbia e ka tanimë mbi 10 vjet.

Marrëveshja e plotë

1. Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

2. Nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

3. Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe palët e Beogradit e Prishtinës, e do të kryesohet nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të bazuara në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do të paraqesë zbulimet e saj për një zgjidhje të përhershme te formati i nivelit të lartë të Dialogut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë