Kosova

Kosova dhe Serbia arrijnë në Bruksel marrëveshjen me 3 pika në parim për konfliktin e targave

Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili është I dakordësuar pothuajse në tërësi dhe ka mbetur që vetëm pala serbe të japë dakordësinë finale, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: i pari është që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të përhershëm të lëvizjes së lirë.

Pika e tretë sipas tij ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-i dhe pas disa orëve njësitë e KFOR-it do të zëvëndësonin njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë