Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje të re me Spanjën, që redukton burokracitë e ekstradimeve mes dy vendeve dhe gjithashtu zgjeron subjektet e kësaj marrëveshje.
“Eliminojmë një pengesë ligjore mes dy vendeve, që ka të bëjë me rezervën ligjore me të cilën Shqipëria ka ratifikuar për moslejimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas. Eliminohet kjo. Me Spanjën, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin e shqiptarëve drejt Spanjës dhe anasjelltas”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Marrëveshja mbërrin në në kohë kur aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare në Spanjë ka njohur rritje vitet e fundit. Sipas statistikave të autoriteteve spanjolle, grupet shqiptare që ushtrojnë aktivitetin kryesisht në fushën e trafikut të lëndëve narkotike drejtohen nga persona që strehohen në Shqipëri.
Marrëveshja e re do t’i mundësojë Spanjës që të kërkojë ekstradimin e këtyre shtetasve.
“Një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në Spanjë nuk gjen strehim në Shqipëri, apo një spanjoll që bën krim në Shqipëri, nuk mund të strehohet në Spanjë”, tha Manja.
Ministri sqaroi se përveç kësaj, marrëveshja shtrihet në të gjithë zinxhirin procedurial, që nga faza paraprake hetimore, deri te vendimet e formës së prerë të gjykatave. Kjo do të thotë se Spanja, mund të kërkojë ekstradimin e një shtetasi shqiptar, apo spanjoll që strehohet në vendin tonë që në momentin që nis hetimet ndaj tij dhe jo pas një vendim të mundshëm fajësie nga gjykatat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



