Kosova

Serbia tërheq autoblindat nga kufiri me Kosovën

Mjetet e blinduara të ushtrisë së Serbisë, që të hënën, ishin vendosur në afërsi të kufirit me Kosovën, sot janë larguar, ka bërë të ditur N1.info.

Dy mjetet të blinduara “Lazar” dhe dy të tjera “Milosh” ishin stacionuar në Rashkë, dy kilometra larg kufirit në Jarinjë.

“Raportohet se ushtria është tërhequr në kazermën e Rashkës”, shkruan N1.info.

Ato ishin stacionuar buzë rrugës, ndërkohë që ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, në disa raste tha se ushtria ka rritur gatishmërinë luftarake.

Kjo lëvizje e ushtrisë serbe si dhe patrullimi i helikopterëve e aeroplanëve ushtarakë në afërsi të vijës kufitare kishte rritur tensionin në veri, ku serbët prej 10 ditësh kanë bllokuar rrugët, të pakënaqur me masën e reciprocitetit për targat e veturave të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Pas kësaj, edhe KFOR-i ka shtuar numrin e pjesëtarëve dhe patrullimet në veri të vendit.

Rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbët.

Presidenti Aleksandar Vuçiç ka falënderuar serbët që po qëndrojnë në rrugë, duke i bllokuar ato. /Koha

MPB: Ka kërcënime ndaj qytetarëve që pajisen me targa të përkohshme
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë tha se është informuar që qytetarët të cilët janë pajisur me targa të përkohshme, po kërcënohen nga persona, që sipas këtij institucioni, janë ende të paidentifikuar.
“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021”, thuhet në njoftim.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në veri të Kosovës kanë raportuar se gjatë natës së mbrëmshme në të paktën një veturë me tabela të përkohshme të Kosovës janë vendosur mbishkrime me përmbajtje kërcënuese.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, këto kërcënime ndikojnë në krijimin e një klime, ku qytetarët ndihen të frikësuar që të jetojnë dhe veprojnë në vendin e tyre.
“Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha MPB-ja, duke shtuar se tashmë këto raste po hetohen nga Policia e Kosovës që do të ndërmarrë masa sipas ligjit. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë