Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Nebojsha Stefanovic, ka pranuar sot se ushtria serbe ka ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të situatës në veri të Kosovës, por ka shtuar se kjo vlen për territorin deri në vijën kufitare me Kosovën.
Siç ka shpjeguar ai, gatishmëria vlen për zonën e sigurisë “përgjatë pikave kufitare me Kosovën, por se ushtria nuk mund të hyjë askund ku nuk duhet të hyhet”.
Ai ka thënë në një intervistë televizive se gatishmëria dhe shtimi i prezencës në kufi me Kosovën është “kryesisht mekanizëm parandalues”.
“Kemi të drejtë të pozicionohemi në territorin tonë, askush nuk na tregon çfarë të bëjmë, është vendim sovran. Nuk po shkelim asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ushtria nuk ka hyrë askund ku nuk duhet të hyjë”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka shtuar se ngritja e gatishmërisë së ushtrisë serbe ka treguar se “Serbia nuk lejon incidente”.
Sot është dita e nëntë që kur rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë janë bllokuar nga serbët si shenjë proteste ndaj zbatimit të reciprocitetit për targat nga ana e autoriteteve të Kosovës, për veturat me tabela të Serbisë. Përballë protestuesve po qëndrojnë njësitet speciale të Policisë së Kosovës, ndërkaq KFOR-i njoftoi të hënën se ka shtuar patrullimet në këtë zonë.
Serbia ka kërcënuar disa herë përmes krerëve të vet, ndërsa nga ndërkombëtarët vazhdimisht është bërë thirrje për shtensionim. Komandanti i KFOR-it u pranua nga Qeveria e Kosovës, por u refuzua nga serbët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




