Katër deputetë të Parlamentit Europian kanë dalë me një deklaratë, ku pasi shprehin shqetësimin e tyre për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës i bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit për vetëpërmbajtje dhe dialog.
Deklarata është firmosur nga raportuesit në Parlamentin Europian për të dyja vendet, Vladimir Biliçik për Serbinë dhe Viola Von Cramon për Kosovën, kryesuesja e delegacionit të BE në komitetin e përbashkët BE-Serbi dhe kryesuesi e delegacionit të BE për marrëdhëniet me Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, Romeo Franz.
“Jemi të shqetësuar thellësisht nga tensionet e fundit në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje paqësore për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve”, nis deklarata e përbashkët e katër eurodeputetëve.
Ata bëjnë thirrje që të dyja palët të tërhiqen nga shfaqjet e forcës në këtë zonë.
“Duam të shikojmë tërheqjen e forcave speciale të policisë dhe të çdo njësie ushtarake dhe të lirohen rrugët. Veprimet dhe provokimet e njëanshme dhe retorika nxistëse, që ngre tensionet dhe prek sigurinë e komunitetit lokal duhet të marrë fund. I bëjnë thirrje BE dhe partnerëve të vazhdojnë të punojnë për qetësimin e krizës dhe u kërkojmë udhëheqësve në Kosovë dhe Serbi që të shfrytëzojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të zgjidhur të githa çështjet, përfshirë ato që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë”, vijon deklarata.
Në fund, katër eurodeputetët theksojnë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një parakusht për anëtarësimin në BE për të dyja vendet.
“U bëmë thirrje të dyja palëve që të rikthehen në tryezën e dialogut për të gjetur në zgjidhje të drejtë dhe ligjërisht të detyrueshme”, mbyllet deklarata e eurodeputetëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




