Kosova

SHBA dhe BE po punojnë së bashku për të ulur tensionet në Veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë së bashku me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të shtensiohet situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet,

SHBA-ja tha se në takimet e Brukselit, që do të mbahen në ditët në vijim, do të marrë pjesë edhe zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL.

Më herët gjatë të dielës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme, kryenegociatorët e Kosovës janë pajtuar që të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet për çështjen e lirisë së lëvizjes. Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja platformë për të adresuar çështjet e hapura mes palëve.

Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.

Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara, teksa atje po qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Reagimi i Borrellit erdhi vetëm një ditë pasi Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic që të ulin tensionet në veri të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë