Drejtësia

Policia aksion në banesë, por s’e gjen aty. Adriatik Llalla shpallet “në kërkim kombëtar”

Policia u paraqit pak pas orës 20:00 në derën kryesore të vilës së Adriatik Llallës për të ekzekutuar urdhrin e SPAK për arrestimin e tij për të vuajtur dënimin me dy vite burg të dhënë me formë të prerë nga Gjykata e Posaçme të Apelit.

Por, në banesë nuk e kanë gjetur asnjë, ndërsa më herët nga banesa është fotografuar edhe bashkëshortja e ish-prokurorit, që nuk kurseu as ofendimet me gisht në drejtim të gazetarëve.

Gruaja e Adriatik Lales kur pa mediat prane shtepise

Policia e shpalli në kërkim kombëtar, procedurë standarde në të tilla raste dhe më pas, kur të provohet që ish-kryeprokurori ka dalë nga Shqipëria, urdhri i arrestit mund të shndërrohet në ndërkombëtar.

Ndërkohë, në lidhje me vendndodhjen e Llallës ka disa informacione që qarkullojnë, por që janë kontradiktore. Në njërin prej tyre thuhet se Llalla ka udhëtuar në drejtim të Turqisë një javë më parë, ndërsa një tjetër informacion i paverifikuar thotë se ish-kryeprokurori është fotografuar ditët e fundit në Romë të Italisë.

Më herët, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Policisë së Shtetit që të ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për arrestimin dhe konfiskimin e pasurive të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.

“Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nëse për konfiskimin e pasurive dhe ndalimin e funksioneve në drejtësi për 5 vite policia e shtetit nuk pritet që të ketë vështirësi në ekzekutimin e tyre, problem është arrestimi dhe vënia e Llallës në qeli për të vuajtur dënimin me dy vite burg.

Avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj tha se klienti i tij ishte në regjim spitalor, por nuk saktësoi nëse ndodhej në Shqipëri, apo jashtë Shqipërisë.

Nëse brenda afateve ligjore, Adriatik Llalla nuk arrestohet, atëherë policia do të detyrohet që ta shpallë atë person në kërkim dhe të nxjerrë urdhër-arresti ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë