Pas tensioneve në Serbi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolenberg.
Në një njoftim, Osmani thotë se ka informuar sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, duke përmendur edhe marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes. Kosova ka vendosur së fundmi reciprocitet ndaj targave nga Serbia
“Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave të paligjshme të saj në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Osmani ka deklaruar se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.
“Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta. Gjatë takimit me të, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka përmendur edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilën ka deklaruar se është e përgatitur me standardet e NATO-s dhe do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.
“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” thuhet të ketë deklaruar Osmani.
Tutje thuhet se sekretari Stoltenberg e ka falënderuar Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë.
“Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



