Takimi mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i mbajtur në Shkup përfundoi me nënshkrimin e 11 marrëveshjeve.
Të paktën kështu njofton Shefi i Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalip përmes një postimi në Facebook.
Dalipi njofton se ndër marrëveshjet e nënshkruara është edhe studimi i fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.
“Sot Qeveria e Kosovës nënshkruan 11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga marrëveshjet: studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’; bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”.
Më herët ishte ambasadori i Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njëherë edhe bashkëshorti i presidentes kosovare Vjosa Osmani, Prindon Sadriu që shoqëroi Albin Kurtin gjatë ceremonisë shtetërore me rastin e mbledhjes së përbashkët mes Shkupit dhe Prishtinës.
Sadriu ishte gjatë gjithë kohës afër kryeministrit Zoran Zaev dhe atij kosovar Albin Kurti. Para nisjes së seancës së përbashkët u zhvillua ceremonia e pritjes zyrtare, një takim kokë më kokë mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Kurti si dhe takime bilaterale mes ministrave të dy qeverive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




