Vaksinimi i detyruar nxiti polemika dhe ngjalli diskutime mes qytetarëve, studentëve dhe pedagogëve, një prej të cilëve është edhe Mimoza Manxhari, pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, e cila e konsideron këtë si një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut.
Në një status në Facebook ajo shkruan se është totalisht kundër këij imponimi dhe se alternativa e zgjedhjes mes punës ose vaksinës i duket një kërcënim i hapur i të drejtës të qytetarëve për informim dhe për rrjedhojë edhe qartësimi, sqarimi dhe reagimi që ka vaksina në shëndetin tonë.
Manxhari thekson se detyrimi për t’u vaksinuar me një vaksinë, që sikundër e deklaron çdo prodhues, është ende në fazën eksperimentale e kërcënon në mënyrë flagrante lirinë e secilit prej nesh.
Ajo u rekomandon të gjithëve të lexojnë të ashtuquajturin "Kod i Nurembergut" në të cilin shprehimisht konsiderohet “Shkelje e Rëndë e të drejtave të njeriut, detyrimin ndaj një individi për t’iu nënshtruar një kure mjekësore eksperimentale ose jo", ndërsa shton se kërcënimin me humbje të vendit të punës për mosbërjen e një vaksine të tillë e quan kriminal.
“Puna e secilit prej nesh është jeta dhe jetën shteti po na e merr, nëse nuk bëjmë një vaksinë, pasojat e të cilës për jetën e secilit nuk janë të garantuara. Kush do mbajë përgjegjësi për pasojat (ndoshta dhe fatale) që mund të ketë vaksina mbi trupat tanë? Ç’është ky masivizim pa asnjë kriter diferencues? Si mundet, në një diskutim që ka të bëjë me shëndetin e secilit prej nesh, zotëria i ISHP-së, ta ndërtojë dhe mbështesë gjithë fjalimin, për detyrueshmërinë e bërjes së vaksinës, në emër të kostove të mundshme që do shoqërojnë spitalizimin e hamëndësuar të të infektuarve, në vend që të parashtronte me gjuhë studimesh pluset dhe minuset e vaksinimit?”, shkruan Mimoza në statusin e saj.
Më tej ajo shton se detyrimi i secilit qytetar ndaj shërbimeve publike, është i dhënë dhe nuk është aspak variabël i fluksit prej spitalizimeve virale apo cfarëdo faktori kërcënues për shëndetin.
Dhe thekson se me gjithë respektin përulës që ka për nënat dhe baballarët tanë, shumë dashamirësisht do e këshillonte që të kursehej sensibilizimi melodramatik për pensionet e pakta të prindërve tanë sepse blerja e vaksinës, po ashtu, është mbuluar nga buxheti i shtetit (pra dhe nga pensioni apo të ardhurat e gjithësecilit)dhe nuk i është dhuruar bujarisht qeverisë nga askush.
Në fund të statusit të saj në Facebook ajo ngre disa pyetje jo vetëm kundrejt qeverisë por edhe kundrejt qytetarëve të thjeshtë:
“A jeni në dijeni të ndonjë studimi të ndërmarrë ose në të kundërt, a keni konsideruar të inicioni ndonjë studim për problematikat që shkaktohen në shëndetin e konsumatorit masiv, nga përdorimi i barnave të skaduara apo dhe produkteve po ashtu të skaduara që jo rrallë herë dëgjojmë se futen në territorin e vendit? Sa të ndershëm dhe të përgjegjshëm jeni kur nxisni dhe proklamoni detyrimin e vaksinimit? Përse duhet të shndërrohet në biznes politik një çështje e tillë? Përse janë çensuruar disktutimet profesionale kundër vaksinave eksperimentale? Në dijeninë time, në gjithë historinë e vaksinimeve asnjëherë nuk është përdorur retorika e bërjes së vaksinës për të mbrojtur të tjerët. Përkundrazi,gjithmonë vaksinimi është rekomanduar për të mbrojtuar veten”, mbyll fjalinë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.