Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale ka nisur zyrtarisht sot seanca e parë gjyqësore kundër një prej liderëve dhe ish-zyrtarëve të UÇK-së.
Gjykim mbahet kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është ngritur në qershor të vitit të kaluar.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se në rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, por se në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.
“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.
Smith gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.
“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, tha ai.
Prokurori i Specializuar tha se krimet e luftës nuk justifikohen.
“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, tha Smith.
Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.
Sipas prokurorisë, ndërtesa në Zllash ishte dykatëshe dhe e izoluar nga strukturat e tjera.
Kjo ndërtesë nuk qëndron sot, mirëpo sipas saj provat e shfaqura gjatë gjykimit do të dëshmojnë prezencën e të akuzuarit në këtë vend në kohën kur u kryen krimet.
Mustafa është deklaruar para gjykatëses i pafajshëm dhe e quajti Gjykatën Speciale zyrë të Gestapos.
“Po, nuk pranoj asnjë nga akuzat me të cilat po më ngarkon kjo zyre e Gestapos”, tha Mustafa, duke iu referuar d shërbimit sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




