Kosova

Vjosa Osmani kërkon ndihmën e Gjermanisë: Kosova ka nevojë për një zë të fortë në BE

Gjatë takimit me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeierm Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar mbështetjen e Berlinit për njohje të reja të Pavarësisë së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka kërkuar edhe mbështetje për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, është citur të ketë thënë Osmani.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Europian, por vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Osmani është thënë se ka diskutuar me homologun e saj gjerman edhe për Procesin e Berlinit, i cili sipas saj është shtysë e fuqishme për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimir.

Sipas Osmanit, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Procesin e Berlinit, nuk do ta ketë mbështetjen e Kosovës.

Këtë qendrim ka mbajrtr edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar të martën me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Tiranë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Procesi i Berlinit është korniza dhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative”.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë