Në Kosovë sapo kanë arritur 503 mijë vaksina anti-COVID të kompanisë Pfizer. Vaksinat kanë ardhur si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhe janë shpërndarë përmes programit COVAX gjatë kësaj fundjave.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sjellin të njëjtën urgjencë në përpjekjet ndërkombëtare për vaksinim siç ne e kemi demonstruar në SHBA dhe ne po punojmë që të sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur në Kosovë vaksina të sigurta dhe efektive”, tha Shtëpia e Bardhë disa ditë më parë. “Ky është një moment unik në histori dhe kërkon lidership amerikan. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të krijuar një botë më të sigur kundër kërcënimit ndaj kësaj sëmundjeje ngjitëse”.
Javët e fundit, Kosova ka regjistruar një rritje të frikshme të numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve. Vetëm gjatë 24 orët e fundit, në Kosovë u regjistruan edhe 28 vdekje të reja.
Kosova në total ka administruar 922.623 doza të vaksinës anti-COVID. 615.156 persona janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 307.467 edhe me dozën e dytë. Duke nisur nga 13 shtatori, vaksinimi do të fillojë edhe të dielave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




