Kosova

SHBA-ja nis të dërgojë mbi gjysmë milion doza të vaksinës Pfizer në Kosovë

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Kosovë mbi gjysmë milioni doza vaksina kundër koronavirusit nga kompania Pfizer, ndërkohë që autoritet në Prishtinë po përballen me rritje të rasteve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se 503,100 doza do t’i dorëzohen Kosovës duke filluar nga 3 shtatori.

Ky donacion do të vijë në Kosovë përmes programit COVAX gjatë kësaj fundjave.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sjellin të njëjtën urgjencë në përpjekjet ndërkombëtare për vaksinim siç ne e kemi demonstruar në SHBA dhe ne po punojmë që të sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur në Kosovë vaksina të sigurta dhe efektive”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më 20 gusht, në Kosovë arritën 35,000 doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga SHBA-ja.

“Ky është një moment unik në histori dhe kërkon lidership amerikan. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të krijuar një botë më të sigur kundër kërcënimit ndaj kësaj sëmundjeje ngjitëse”, tha Shtëpia e Bardhë në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Javët e fundit, Kosova ka regjistruar një rritje të numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve. Vetëm gjatë 24 orët e fundit, në Kosovë u regjistruan edhe 26 vdekje të reja dhe mbi 1,400 viktima.

Gjatë kësaj jave, autoritetet shtetërore në Kosovë njoftuan se kanë hequr nga përdorimi mbi 133.000 dozave të vaksinës së AstraZenecas, pasi u skadoi afati. Në Kosovë, qytetarët kanë shprehur hezitim për të bërë këtë vaksinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë