Kosova

Arrin grupi i dytë i afganëve në Kosovë

Në Kosovë ka arritur grupi i dytë i shtetasve afganë të cilët janë evakuuar nga Kabuli gjatë ditëve të kaluara.

Siç bëhet e ditur nga mediat, edhe ky grup është i përbërë nga afganët që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.

Ende nuk dihet se sa është numri i grupit të dytë të afganëve që strehohen në Kosovë, derisa t’u rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.

Në Kosovë tashmë janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se Kosova ka kapacitete për strehimin e tyre.

“Strehimi i qytetarëve afganë nga Kosova është një vendim i drejtë, jo vetëm nga aspekti moral dhe humanitar që Kosova po e zgjat dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë në kohë krize, por gjithashtu rikonfirmohet pozicionimi strategjik i Kosovës krahas aleatëve të NATO-s”, thotë Balaj.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, që kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit. Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë