Sociale

Test, vaksinë, karantinë, masat e reja anti-Covid për të hyrë në Rinas

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ka publikuar të gjitha masat që duhet të ndërmerren nga qytetarët që dëshirojnë të udhëtojnë me avion drejt Shqipërisë.

TIA njofton se të gjithë personat që do të hyjnë në territorin shqiptar, duhet të kenë pasaportë vaksinimi, një test negativ të 72 orëve të fundit ose duhet të provojnë se e kanë kaluar Covid-19 në 6 muajt e fundit.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Brenda aeroportit do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre.

Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar në protokollin e masave te sigurisë së shëndetit.

Këto masa u miratuan nga Komiteti Teknik i Ekspertëve një ditë më parë, ndërsa do të hyjnë në fuqi duke nisur nga data 6 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë