Kosova pritet të strehojë përkohësisht rreth 2.000 shtetas afganë. Shifra është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një intervistë mediatike.
Sveçla bëri të ditur se qëndrimi i personave që do të vijnë nga Afganistani nuk do të jetë i gjatë dhe siç u shpreh ai, Kosova mund t’iu ofrojë atyre mbrojtje të përkohshme në kohëzgjatje prej një viti.
“Ne jemi duke biseduar me partnerët tanë për të parë nevojat e afganëve për strehim dhe pastaj për të kalkuluar edhe potencialin apo mundësitë e shtetit të Kosovës për t’i strehuar ata. Numri për të cilin po flasim, dhe gjithmonë po flasim për strehim të përkohshëm, është diku rreth 2.000”, u shpreh Sveçla.
Për ministrin Sveçla ende nuk ka një afat se kur pritet të mbërrijnë emigrantët afgan. Sa i përket strehimit Sveçla tha se janë disa lokacione të cilat janë duke u shqyrtuar. Por pa dhënë detaje se cilat janë ato. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se të gjithë personat do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi.
“Ata do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit. Janë disa shkallë të verifikimit nëpër të cilat ata do të kalojnë, qoftë nga bashkëpunëtorët tanë, aleatët tanë, qoftë edhe nga shteti i Kosovës. Absolutisht që po, edhe Kosova do të bëjë një verifikim”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




