Shtimi i ndjeshëm i rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri ka ndikuar në vendimin e autoriteteve norvegjeze që ta rikthejnë vendin tonë në listën e shteteve me rrezikshmëri të lartë infektimi, për udhëtarët e të cilave kërkohet karantina.
Vendimi i marrë nga Instituti i Shëndetit Publik Norvegjez e ka përfshirë Shqipërinë në këtë listë së bashku me Bosnjen, Moldavinë dhe Kanadanë.
Deri para këtij vendimi, Shqipëria ndodhej në atë që njihet si “lista vjollcë” dhe shtetasve dhe udhëtarëve që hynin në Norvegji nga vendi ynë deri më tani nuk u kërkohej karantina.
Nga ky vendim, të gjitha shtetasit shqiptarë, apo të huajt që udhëtojnë nga Shqipëria për në Norvegji duhet t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore, përveç rasteve kur janë të afërm të një shtetasi norvegjez.
Autoritetet norvegjeze thonë se nga ky rregull përjashtohen personat e vaksinuar, që përfshihen në sistemin e certifikatave të sigurisë së Bashkimit Europian dhe ata që e kanë kaluar Covid në 3 muajt e fundit.
Shqipëria ende nuk është pjesë e këtij sistemi, që do të thotë se në rastin e vendit tonë, Norvegjia nuk njeh as certifikatat e vaksinimit dhe as dokumente të tjera që mund të provojnë se një shtetas e ka kaluar Covid brenda tre muajve të fundit.
Pak ditë më parë, Norvegjia përfshiu në të njëjtën listë edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Por, në rastin e shtetasve maqedonas, prej datës 20 gusht ka hyrë në fuqi vendimi i Komisionit Europian që i njeh certifikatat e sigurisë dhe dokumentet e tjera që plotësojnë kushtet e lëvizjes së lirë dhe shmangies së karantinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.