Ekonomi

Të ardhurat e 7-mujorit tejkalojnë planifikimet. Punësimi rritje me 4.7%

Për 7 muajt e parë të vitit 2021, të ardhurat totale arritën në vlerën e 281.4 miliardë lekë, duke kaluar dhe planifikimet. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, të ardhurat ishin 47.7 mld lekë më pak.

Shpenzimet për të njëjtën periudhë, rezultuan më pak nga se ishin planifikuar, duke arritur shifrën e 311.3 miliardë lekëve. Niveli i deficitit në muajin e shtatë të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), arkëtuan 101.8 miliardë lekë, me 23% rritje nga 7 muajt e parë të vitit 2020. Ndikimin më të madh e kanë pasur të ardhurat nga importi i karburanteve.

Të ardhurat nga TVSH në import për 7-mujorin rezultojnë 68.3 miliardë lekë, 14.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë karburantet e importit, automjetet e përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile,  dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +6.9 miliardë lekë. Ndër produktet me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, sheqeri, fruta –perime dhe telefona celularë, me një efekt -0.6 miliardë lekë.

Gjatë 7- mujorit 2021, ka pasur një rritje të lehtë të sasisë së importuar të energjisë elektrike me +818 megawatorë, krahasuar me vitin 2020, por përsëri efekti ka qenë negativ, -268.3 milionë lekë në të ardhurat për TVSH.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 28 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë më shumë se në 2020-n. Kontribut kanë pasur karburantet dhe cigaret,

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, 57 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.2 miliardë lekë, 360.5 milionë më shumë se renta e 7 mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 7- mujorin 2021 është 9.1% më shumë se viti i kaluar me efekt +32.1 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +285.1 milionë lekë.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 24.1 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 7.8% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 4 miliardë lekë, 642 milionë lekë  më shumë se 7- mujori 2020.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 7- mujorin 2021 u realizuan në masën 141.5 miliardë lekë, 19.7 miliardë më shumë se 7- mujori i vitit të kaluar.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 31.7 miliardë lekë, 7.2 miliardë ose 29.1% më shumë se 7- mujori 2020. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit.

Rimbursimet për periudhën 7- mujore 2021 arritën 16.1 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë më shumë se 7 mujori 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 19.6 miliardë lekë 4.2 miliardë lekë më shumë se 7- mujori 2020. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 34% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 23.4 miliardë lekë, 4.3 miliardë më shumë se 7 mujori 2020. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë pasur: të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 151% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020; të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet  me rritje 125% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020.

Taksat nacionale, për periudhën Janar-Korrik 2021 u realizuan në masën 20.9 miliardë lekë, 3.8 miliardë lekë më shumë se 7- mujori 2020. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 51.1% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 7 mujorit 2021 ka pësuar rritje me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 61.9 miliardë lekë, 7.6 miliardë lekë më shumë se 7- mujori 2020. Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin Qershor 2021 rezulton rritje me 30.314 vende pune ose 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Shpenzimet e përgjithshme u ulën me 28.2 miliard lekë nga 7 mujori i 2021-shit. Ato kapitale arritën vlerën e 257 mld lekëve, ndërsa ato korrente në 390 milionë lekë.

Niveli i deficitit për periudhën 7- mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë, ose rreth 19.5 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë