Trashëgimi

“Ciceroni i parë Apolonisë” rikthehet në Muzeun e Fierit

Muzeu historik i Fierit do të ketë tani një vepër të re të shtuar në fondin e pasurisë së tij, bustin e ciceronit të parë të qytetit antik të Apolonisë, Pilo Samarxhiut.
Ekspozuar për publikun në muze vepra “Ciceroni i Apolonisë” ruhej prej kohësh në fondin e veprave artistike të skulptorit Gjergji Toksa, i cili vendosi t’ia dhuronte institucionit arkeologjik
Për drejtorin e Muzeut Historik, Ilirjan Gjika, figura e Pilo Samarxhiut është një figurë kyçe në historinë e gërmimeve arkeologjike.
“Pilo Samarxhiu ka qenë në vitet 1933-1938, kryepunëtor i Misionit Arkeologjik Francez në Apoloni. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kontributi i tij është se të gjithë statujat, gërmimet antike të trasheve, llogoreve i mori i ruajti për t’i dorëzuar më pas dhe sot ato janë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë dhe Muzeun Kombëtar”, është shprehur Ilirjan Gjika, drejtori i Muzeut Historik.
Pilo Samarxhiu lindi në vitin 1889 në fshatin Pojan të Fierit dhe pjesën më të madhe të jetës së tij ua kushtoi gërmimeve arkeologjike në parkun e qytetit antik ku dhe do të angazhohej duke punuar pranë ekspeditave arkeologjike shqiptare.
Në vitin 1958, kohë kur u hap Muzeu Arkeologjik i Apolonisë, Pilo Samarxhiu, nisi punën si ciceroni i parë i tij, ku punoi deri në vitin 1971 kur ndërroi jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë