Ekonomi

Shqiptarët po pushojnë më shumë brenda vendit, numri i turistëve të huaj në rënie

Shqiptarët po pushojnë më shumë brenda vendit duke bërë kështu që në strukturat akomoduese numri i tyre në tremujorin e dytë të vitit të jetë rritur në krahasim me të njëjtën periudhë  të vitit 2019 kur Covid-19 ende nuk ishte shfaqur.

Numri i rezidentëve në strukura akomoduese u rrit me rreth 11% ndërkohë që numri i jorezidentëve që shënoi nivelin 97 mijë në tremujorin e dytë mbetet pak më shumë se gjysma e asaj të vitit 2019.

Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 3.9 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i vizitorëve rezident është rritur me 2.4 ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 8.9 herë.

Numri i netë qëndrimeve nga vizitorët rezidentë është rritur me 2.1 herë ndërsa nga jo-rezidentët  është rritur me 9.7 herë.

Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 6.6 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 5.1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

 Në tremujorin e dytë 2021, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:  sipas rajoneve në “Rajonin e Qendër”(43,1 %);  sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63,4 %);  sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,2 %), thuhet në publikim. 

Në periudhën prill-qershor interesi i turistëve duket se ka qenë drejt detit dhe kryesisht në sy bie Durrësi që është në rajonin qendror, aty ku ka qenë edhe numri më i lartë i netë qëndrimeve(44.9%).

Gjatë këtij tremujori, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 12.3 %, kundrejt 4.4 % që ishte në tremujorin e dytë 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë